October 24, 2017

Jeta e Imam Elez Hoxha (1910-2002)

Nga; Gëzim Kopani (Myfti i Pukës)

Myftiu i Pukës Haxhi Elez Hoxha,  “Qytetar Nderi" i Bashkisë Pukë

Haxhi Elez Hoxha lindi më 07  mars 1910. Mësimmet e para fetare i mori në shtëpi, prej të atit, Asllan Hoxha (1) i cili më pas e regjistron në Mejtepin e xhamisë Kodër Hani.(2) Në vitin 1925 Elez Hoxha vijon studimet në Medresen e Shkodrës të cilen e përfundon në Medresen e Tiranës. Gjatë studimeve në këto dy medresetë Elezi u njoh si nxënës aktiv dhe me rezultate të shumë të mira.
Gjatë pushimeve verore , por sidomos pas përfundimit të medreses Elezi u njoh dhe u afrua shumë me kryemësuesin Poetin e njohur Migjeni i cili e vlerësoi formimin e tij të lartë në besimin islam  dhe në qëndrimin përparimtar për emancipimin e shoqërisë së prapambetur të kohës (Elezi dergoj i pari motrën e vet në shkollë. shiko; "Puka-Vazhdimësi Vlerash" autor dr.Sulejman Sula fq.133) .  Sipas disa të dhënave Elez Hoxha me mbeshtetjen e Myfiut të Pukës Zenal Hoxha bëri që kryemesuesi Migjeni ti propozonte Ministrisë së Arsimit që Elez Hoxha të jap mësime fetare në shkollen e Pukës.(3)

Pas vitit 1940 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e emëron H.Elez Hoxhen Myfti në Delvinë (4)  ku u dallua në predikimet islame dhe në qëndrimin human për forcimin e unitetit të popullit.  Në vitin 1943 Elez Hoxha rikthehet në qytetin e Pukës ku me pushtimin fashist të vendit ai predikonte në mbrotje të Atëdheut.(5)

Në një takim të rastësishëm  me një gjeneral  italian Elezi kundërshtoi propozimin që iu bë për rikonstruksionin e plot të xhamisë se Koder Hanit, por imam Elezi e quajti atë 
si “....dhuratë të fashizmit italian “.
Në Kuvendin e Shtatë Barakëve të Pukës zhvilluar në fshatin Kabash,(6) më 3 tetor 1943 foli me guxim  për të përkrahur Luftën Antinazifashiste.(7)

7 nëntor 1944 në fshatin Iballe gjatë një mbledhje u vendos që Elez Hoxha të jetë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Pukë.(8)

Më von Elezi nuk mundi të pajtohej me një regjim komunist i cili kërkoj të mbyll xhamit si edhe kultet e besimeve të tjera.  Për shkak të qëndrimit kundërshtar ndaj regjimit u vu në shinjester të shtetit. Nuk kalon shumë kohë dhe u ngrit një akuzua, se ka sabotuar pushtetin  popull dhe se ka qenë i lidhur me kriminelët e luftës.(9)

Ne vitin 1951 pasi kishte bërë rreth 6 vite burgim u lirua për shkak të një amnistie dhe Elezi rikthehet në vendlinje.

Me vendim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nr.14, datë; 23 janar 1954 emërohet Myfti i Pukës detyrë të cilen e ushtron deri në vitin 1967 vit në të cilin u ndalua feja.(10)
Me ndalimin e fesë mësohet se u punësua tek shërbimi meterologji në stacionin e Pukës gjithashtu ai ishte i dhënë në kultivimin e bletarisë.

Në vitin 1991, Myftiu Elez Hoxha u takua me Nënë Terezen e cila vizitoj Shqipërinë pas një kërkese që ajo i kishte bërë Ministrit të Jashtë të Shqipërise Muhamet Kapllanit. Në këtë kohë zyrtarët e Kishës Katolik kërkuan lejen e e hapjes së "Shtëpi bamirësie"në qytetin e Pukës. Kërkesa u analizua nga Myftinia Pukë , dhe Myftiu i Pukës H.Elez Hoxha dhe Keshilli i Myftinisë dhanë dakortësin për ndërtimin e Shtëpisë se Bamirësisë të misionareve të Nënë Terezës në qytetin e Pukës. (11)

Me organizim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë rreth vitit 1991 Myftiu Elez Hoxha zhvillon ritualin e Haxhit në Mekke sëbashku me djalin e tij Musanë.(12)
Nga viti 1992 deri në vitin 1993 Myftiu i Pukës H.Elez Hoxha luajti një rol të rëndësishëm për ndërtimin e xhamisë së qytetit të Pukës gjë e cila u arrit të realizohet dhe të përfundoj së ndërtuari në vitin 1997.
Për merita te veçanta Këshilli i Bashkisë së Pukës i akordoi H.Elez Hoxhës pas vdekjes titullin : Qytetar Nderi” me motivacion: "Për një kontribut të veçantë për arritjen e unitetit, harmonisë dhe bashkëpunimit të komuniteteve me besime të ndryshme fetare, për kontributin e dhënë gjatë luftës nacionalçlirimtare, për aftësitë e tij intelektuale drejtuese dhe idetë përparimtare e demokratike si kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit Pukë dh si Kryemyfti për zonen e Veriut."(13)

Ndërsa Myftinia Pukë me rastin e "25 Vjetorit të Riorganizimit të Myftinisë Pukë" me vendim nr.01, datë; 24.01.2016 i jep Çertifikatë "Pishtar Islam" pas vdekjes H.Elez Hoxha me motivacion: "Për kontributin e dhënë si Myfti i rrethit Pukë në rihapjen e besimit islam, si dhe të ndërtimit të xhamisë së re të qytetit  të Pukës." 
4 qershor 2002 kur ishte 92 vjeç H.Elez Hoxha i dorëzon shpirtin Allahut xh.sh."

___________
1. Mësimet e para imam Asllan Hoxha i mori nga Zenel Hoxha. Më vonë ai sherbeu si imam në xhamin e fshatit Rrypë të Pukës.
2. Në vitin 1910 mësues në Majtepin e Xhamisë Kodër Hani ishte imam Zenel Hoxha
3. 28 janar 1968 motra e Migjenit Cvetka ka thëne: "...im vëlla e mori në shkoll Elezin që të jepte mësimin e fesë. (shiko "Puka-Vazhdimësi Vlereash" autor dr.Sulejman Sula fq.132."
4. Qendroj si Myfti në Delvin tre vite.
5. Në këtë kohë ai u lidh me Ali Bytyçin ( Deshmor i Atëdheut, 1939), Nuri Llazanin, Rasim Mushani, Shyqyri Hafizi, Lek Berisha etj.
6. Sipas një të dhënë ky kuvend është zhvilluar në oborrin e Xhamise Kabash, ndërsa sipas një të dhëne tjeter del se ajo është zhvilluar tek shtëpia e Reshit Meçit (shiko librin; "Veprimtari e Kolonel Xhemal Laçit (1912-1994) Permes Dokumentave dhe Kujtimeve" faq.43)
7. Ky kuvend në të cilin moren pjese përfaqësuesit e shtatë Bajraktarëve të Pukës ku miratuan 12 pika.
8. Detyrë të cilen Elezi e mor në diten e Çlirimit të Pukës me datë 20.11.1944)
9. Me vendim të Gjykatës Ushtarake Shkodër nr.258 datë 01 gusht 1946 Elez Hoxha nën akuzen se ka sabotuar pushtetin popullor dhe se ka qenë i lidhur me kriminelët e luftës u kërkua të denohet me 30 vite burgim . Vitet e burgimit u ulen ne 20. Thuhet se për denimin e Elez Hoxhës (shiko librin "Puka-Vazhdimësi Vlerash" autor dr. Sulejman Sula fq.146) është përdorur një leter që ai i kishte shkruar gjatë kohës së luftës Ymer Bardhoshit (Ymer Bardhoshi në kohë drejtonte një çetë (e formuar në fshatin Peshve (Tërbun) në maj të vitit 1941 kishte 40 përsona.)
10.Shiko librin: "Puka-Vazhdimësi Vlerash" fq.148.
11. Me datë 22.02.1992 Myftinia Pukë më në krye të Myfiut Elez Hoxha si dhe të anëtareve të Këshillit të Myftinisë Pukë (aso kohe i quajtur Këshilli Islamik) i uron mirëseardhjen misionit të Nënë Terezës në qytetin e Pukës. Më vonë misioni u zgjerua edhe me Famullin e Pukës.
12. Elez Hoxha arrit me sukses të arsimoj fëmijët e tij ku Bilali u bë topograf-gjeolog ndërsa Musaja u bë mësues ndërsa të tjerët mbaruan arsimin e mesem profesional. Këtë rrugë ndoqën edhe nipat e mbesat të cilë janë specialist të dëgjuar si; Mjeku i njohur Ali Hoxha, Bilbil Hoxha, Flutura Hoxha etj.
13. Shiko; "Puka-Vazhdimësi Vlerash" fq.157.
14.Në fotografi H.Elez Hoxha si dhe shkresa e poetit Migjeni drejtuar Ministrise së Arsimit të Republikës së Shqipërisë.